
TKZ - Mbështetje ndaj të dëmtuarve të tërmetit
Të dashur bashkatdhetarë, sportdashës, vëllezër e motra!
Tragjedia që përfshiu Shqipërinë ditët e fundit ka lënë pasoja të paimagjinueshme materiale dhe njerëzore.
Thirrjes për sensibilizim dhe ndihmë ju bashkuan edhe Tifozat Kuq e Zi nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora të cilët këto ditë kanë qenë 24 orë aktivë në grumbullimin dhe shpërndarjen në terren të ndihmave materiale pranë të dëmtuarve, shpesh në bashkëpunim me organizatat dhe institucionet vendore.
Përvec ndihmave materiale kemi pranuar edhe të holla nga bashkatdhetarë brenda dhe jashtë vendit.
Shumë nga anëtarët tanë, të prirë nga thirrja jonë kanë kontribuar në platformat online të disa organizatave humanitare.
Gjithsesi, nga kërkesat e shumta të anëtarëve tanë, dëshira për të tjera kontribute dhe nevoja për mirëmenaxhim, transparencë dhe kanalizim të të hollave vendosëm të hapnim këtë llogari të përbashkët në emër të tifogrupit.
Cdo qindarkë e dhuruar në secilën llogari, platformë apo organizim të ndërmarrë më tutje nga Tifozat Kuq e Zi do të jenë publike.
I bëjmë thirrje gjithsecilit dashamirës të kontribuojë për kauzën tonë të përbashkët.
Ndihmoni, bashkohuni, kontribuoni.
E përjetshme është Shqipëria!
Mbi organizatorët dhe finalizimin e kësaj nisme:
Ardita Pemaj - anëtare aktuale, ish-përfaqësuese e Tifozave Kuq e Zi në Itali, ish-anëtare e Kryesisë së Tifozave Kuq e Zi.
Labinot Dermaku - anëtar dhe përfaqësues aktual i Tifozave Kuq e Zi në Gjermani.
Në përfundim të procesit të mbledhjes së fondeve, do të bëhet tërheqja nga organizatorja e fushatës dhe të ardhurat do të dorëzohen tek grupi i punës për Emergjenca Civile të Tifozave Kuq e Zi të cilët me javë të tëra janë aktivizuar në terren duke duke evidentuar familjet në nevoja emergjente dhe duke i ndihmuar me ushqime, veshmbathje dhe vlera monetare.
Fondi i mbledhur përmes platformës GoFundMe do t'i bashkangjitet fondit të mbledhur nga anëtarë të tjerë Tifozave Kuq e Zi në Diasporë dhe pasi të merret një vendim i përbashkët mbi menaxhimin e këtij fondi, do të vijohet me planin e punës.
Në varësi të shumës së mbledhur do të vendoset mbi ndërtimin e një ose disa objekteve në nevojë të qytetarëve të prekur nga tërmeti.